Sport

Shqipëria shpall kandidaturën për organizimin e Superkupës së UEFA-s

Federata Shqiptare e Futbollit ka depozituar sot zyrtarisht në UEFA aplikimin e saj për organizimin e “UEFA SuperCup™ 2020” në stadiumin “Arena Kombëtare”, në Tiranë.

Grupi i punës për përfundimin e dosjes së plotë të dokumentacionit për kandidaturën përkatëse ka mbyllur të gjithë praktikën e aplikimit. Zyrtarisht, tashmë “Arena Kombëtare” është një nga impiantet kandidate për të marrë finalen e Superkupës së Europës për vitin 2020.

“Ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit Europian, vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare, si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në vend, e nxitur kjo, edhe nga përfundimi i shpejtë i “Arenës Kombëtare”, punimet e të cilit vijojnë me intensitet shumë të lartë. Organizimi në kryeqytet i Superkupës Europiane merr një rëndësi absolute, jo thjesht nga pikëpamja sportive, por mbi të gjitha, edhe për imazhin e Shqipërisë, dhe sidomos Tiranës”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

“Shumë shpejt “Arena Kombëtare” do të jetë gati si një vepër e madhe sportive kombëtare, dhe një kandidaturë potenciale për të organizuar një finale të një eventi europian të futbollit në vendin tonë”, thuhet në njoftim.