Sport

Ndryshimet që “ringjallën” Ronaldon

Cristiano Ronaldo deri në muajin tetor nuk realizoi golin e parë në La Liga, deri në atë kohë Lionel Messi kishte 11 gola për Barcelonën.

Forma e Ronaldos gjatë atij muaji shtoi raportimet se tashmë kishte filluar zbehja e tij shkaku i moshës.

Por këto komente e raportime nuk e plakën Ronaldon, tani 33-vjeçar. Ylli i Madridit ishte një makineri e ringjallur, transmeton Koha.net.

Me 14 gola të realizuar në gjashtë ndeshjet e fundit në La Liga dhe dy tjera të realizuara për Portugalinë ndaj Egjiptit, Ronaldo shfaqi shenjat e kohërave të vjetra. Periudhë në të cilën realizonte në çdo ndeshje.

Tani, ai këtë e bën ndryshe. Nëse më herët shpërthente nga krahu i majtë, tani punën e kryen në zonë. Statistikat tregojnë se Ronaldo sivjet ka përqindjen më të ulët të driblimeve prejse u transferua te Reali.

Në Ligën e Kampionëve deri më tani ka realizuar 12 gola, ndërsa raportohet se ka vënë bast me Sergio Ramosin dhe Marcelon se do të jetë golashënuesi më i mirë në La Liga, përkundër distancës që Messi kishte krijuar në muajin tetor.

Pesë muaj më vonë, Messi ende prin me 25 gola, por afër tij është Ronaldo me 22. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë brenda javëve të ardhshme.

Kundër Gironas në La Liga ai realizoi katër gola. Të gjitha brenda zonës, në të cilin sivjet ka bërë dëmin më të madh ndaj kundërshtarëve.

Në sezonin 2017-18 Ronaldo ka dështuar të realizojë gol nga distanca. Deri më tani, 22 golat e tij janë shënuar brenda 16 metërshit.

Në zonë ai nuk qëndron i palëvizshëm dhe të pres për të realizuar gola të lehtë. Ai krijon mundësi për të realizuar.

Këtë e ka vërtetar kur me vrapimin e tij kaloi disa mbrojtës të Gironas, me qëllim që të çonte në rrjet harkimin e Toni Krossit.

Një shembull tjetër është edhe ndeshja e së premtes kundër Egjiptit. Dy golat i realizoi me kokë. Ai e kuptoi se do të kishte harkim dhe gjeti hapësirë për të kërcyer për të realizuar golat.