Sport

Mesfushori i ri i Kombëtares shqiptare thotë se nuk u kontaktua asnjëherë nga Kosova

Mesfushori i Grasshopperit, Bujar Lika, të martën ka mbajtur seancën e parë stërvitore me Kombëtaren e Shqipërisë në prag të ndeshjes miqësore me Norvegjinë, që zhvillohet më 26 mars në “Elbasan Arena”.

Lika, 25-vjeçar, i lindur në Ferizaj, ka deklaruar për mediumet në Shqipëri, se nuk ka hezituar për asnjë moment t'i përgjigjet ftesës së Christian Panuccit dhe ndihet krenar që do të bartë fanellën kuqezi. Ai ka treguar se vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, pasi nuk u kontaktua nga Kosova, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kam patur shumë dëmtime, por vitin e fundit kam mundur ta tregoj veten dhe pastaj erdhi edhe kontakti me trajnerin Christian Panucci. Kam zgjedhur Shqipërinë kurse me Kosovën nuk kam patur kontakt. Nuk u mendova dy herë për të vendosur, pasi gjithmonë e kam patur ëndërr të luaj me ngjyrat kuqezi. Pres të aktivizohem në miqësoren me Norvegjinë”, ka deklaruar Lika.

“Panucci nuk më ka premtuar asgjë dhe këtu jam për ta treguar veten, pasi konkurrenca është e madhe dhe e fortë”.

Lika në janar të këtij viti i është bashkuar Grasshopperit, kurse karrierë ka bërë edhe tek ekipet e tjera nga Zvicra, si Schaffhausen e Wohlen. Ai deri më tani ka gjashtë paraqitje në elitën e futbollit zviceran.

“Lojtarët më kanë pritur shumë mirë, sidomos ata që luajnë në Zvicër. Atmosfera është e mirë dhe për mua kjo është një mundësi e madhe që të tregoj veten”, është shprehur Lika.

Pos Likës, në listën e seleksionuesit Panucci për miqësoren me Përfaqësuesen e Norvegjisë janë ftuar edhe dhjetë futbollistë me prejardhje nga Kosova... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)