Sport

Klopp: Mos e krahasoni Salahun me Messin

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp nuk dëshiron që Mohamed Salah të krahasohet me yllin e Barcelonës, Leo Messi.

Salah sot pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Watfordit duke shënuar 4 gola, ndërsa bëri edhe një asist në fitoren prej 5 me 0, transmeton Koha.net. Ai shpeshherë është krahasuar me Messin edhe për shkak të stilit të lojës dhe sidomos këtë edicion për shkak të formës së lartë që po e kalon.

Megjithatë Klopp thotë se Messi është duke bërë një gjë të tillë për shumë vite, dhe futbollisti i fundit që ishte në nivel të Messit ishte Maradona.

“Salah është në rrugë të mirë. Nuk mendoj se Salah ose dikush tjetër dëshiron të krahasohet me Lionel Messi. Ndjej se ai e bën këtë që 20 vite. Lojtari i fundit që unë e di që ka pasur ndikim të tillë në performancën e ekipit ishte Diego Maradona, tjetër argjentinas. Salah është në një rrugë fantastike, kjo është e sigurt. Por, siç është gjithmonë në jetë, nëse keni aftësi, atëherë duhet t’i tregoni në vazhdimësi. Vazhdimësia e tij tani është e mirë, na ndihmon shumë. Lojtarëve iu pëlqen të luajnë me të”, është shprehur Klopp.