Sport

Reali kryeson renditjen e re të UEFA-s për klube

Reali i Madridit vazhdon të kryesojë në renditjen e klubeve europiane të futbollit profesionist.

Klasifikimi i përditësuar kontinental vendos formacionin “merenges” në shkallën më të lartë të podiumit, duke lënë pas Bajernin e Mynihut dhe Barcelonën, dy ndjekës në kuotë të njëjtë pikësh.

Bie në sy shkëputja e kampionëve në fuqi të Europës dhe botës, ndaj bavarezëve dhe katalanasve me plot 23 pikë diferencë. Renditja europiane e klubeve të UEFA-s llogarit rezultatet e çdo skuadre në kompeticionet zyrtare dhe përfaqësimin e tyre në 5 vitet e fundit. Kjo bëhet përmes një algoritmi që llogarit edhe koeficentin e vështirësisë së ligës vendase.

Skënderbeu është i pari mes ekipeve shqiptare në renditjen e UEFA-s. Formacioni korçar që ka regjistruar rezultate impresionuese në arenën kontinentale madje duke arritur dy herë fazën e grupeve. Ujqërit e Dëborës janë në vendin e 140 me 8.5 pikë së bashku me skuadrën turke Bashakshehir, transmeton TCH.

Bie gjithashtu në sy renditja e 4 ekipeve të tjera shqiptare në të njëjtin vend. Tirana, Flamurtari, Laçi, dhe Teuta janë në pozicionin e 345, kjo për shkak të performancës së varfër në arenën europiane.