Ndahen 18 mijë euro bursa për shpresat olimpike Foto: Ilustrim

Ndahen 18 mijë euro bursa për shpresat olimpike

14 mars 2018 15:31

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë 18 mijë euro bursa për dhjetë përfituesit e bursave për Shpresat Olimpike dhe Paraolimpike të Kosovës.

Vendimi për ndarjen e këtyre bursave është marrë pas propozimit nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat respektive. Bursa në vlerë monetare prej 150€ në muaj në një periudhë një vjeçare nga janari 2018, do t’u ndahet sportistëve: Shpat Zeka (xhudo), Laura Fazliu (Xhudo), Drenis Mala (Shigjetari), Kreshnik Mahmuti (Ping-Pong), Leart Osmanaj (Atletikë), Faton Shurdhaj (Skijim), Erdonis Maliqi (Boks), Shpejtim Bojku (Boks), Drilon Syla (Mundje) dhe Yll Cenaj (Karate).

Ministri Gashi u shpreh se kjo përkrahje financiare në baza mujore për këta sportistë të rinj është një dëshmi se talentet e reja po përkrahen në sport dhe e konsideron si një nxitje për sportistët që ata të përgatiten edhe më shumë në prezantim sa më cilësor në gara dhe korrje të rezultateve.

“Me kënaqësinë më të madhe nënshkrova sot vendimet të cilat hapin rrugën e përfitimit të bursës për dhjetë Shpresat Olimpike dhe Paraolimpike të propozuara nga KOK-u dhe federatat përkatëse. Është kjo një mbështetje direkte financiare nga ana e ministrisë për sportistët në fjalë në mënyrë që ata të përgatiten dhe të avancohen në sportet me të cilët merren. Konsideroj se me sigurimin e këtyre bursave këta sportist fokusin do ta kenë tek prezantimi sa më i mirë dhe korrja e rezultateve gjatë pjesëmarrjes nëpër gara qofshin ato brenda apo jashtë Kosovës”, tha ministri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme