Sport

Carrick konfirmon se në fund të sezonit pensionohet

Kapiteni i Manchester Unitedit, Michael Carrick, ka konfirmuar se do të largohet nga klubi pas 12 vjetësh për t’u pensionuar.

36-vjeçari, që është paraqitur 463 herë për “Djajtë e Kuqë”, prej kur u largua nga Tottenhami më 2006, ka pasur ofertë që të kthehet në klub si trajner.

Carrick ka pasur vetëm katër paraqitje në sezonin e ri, prej që u diagnostikua me çrregullim të të rrahurave të zemrës.

“Vjen një kohë kur trupi u thotë se është koha të ndaloni. Tash jam këtu. Pas problemit me zemër kam menduar dy ose tri ditë se si do t’ia dal? U ktheva dhe doja të kryeja detyrat e mija. Më duhet ta mbaj veten të gatshëm. Shpresoj të luaj sërish dhe po shijoj ushtrimet. Po përpiqem shumë të ndihmoj sepse e kuptoj se ku jam”, ka thënë Carrick.

Carrick ka fituar pesë tituj të Premier Ligës dhe njëherë Ligën e Kampionëve.