Sport

Strakosha portieri i dytë më i mirë në Serie A sipas Corriere dello Sport

Thomas Strakosha e filloi këtë edicion si një bast i trajnerit Simone Inzaghi, i cili hoqi dorë nga ish portieri i kombëtares italiane, Federicho Marcheti, për t’i dorëzuar çelësat e prapavijës së Lazios, portierit të kombëtares shqiptare.

Një bast i fituar plotësisht, sepse 22-vjeçari është kthyer në një pikë referimi tek bardhekaltrit, shumë pak gabime dhe një mori rastesh të rrezikshme të evituara, falë talentit dhe aftësive që disponon, transmeton SS.

Vlerësimet nuk kanë munguar nga mediat ndërkombëtare dhe më i fundit vjen nga e përditshmja prestigjioze italiane, “Corriere dello sport”. Në një klasifikim të bazuar në statistika, kjo media e shkruar ka renditur 10 portierët që kanë mesataren më të lartë të pritjeve të jashtëzakonshme në Serinë A. Strakosha mban vendin e dytë me 3.1 pritje për ndeshje, natyrisht flitet për ndërhyrje që evitojnë gola të sigurt dhe jo për pritjet rutinë.

Në krye të klasifikimit ndodhet gardiani i Romës, Allison Becker, ndërsa vendi i 3-të është një befasi, pasi aty gjendet portieri i Beneventos gjate pjesës së parë të sezonit, Vid Belec. Slloveni u transferua tek Sampdoria në Janar, por nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje.

Vetëm vendi i 4-t për kapitenin e Juves, Giggi Buffon, ndërsa në këtë renditje mungon numri 99 i Milanit, Ganluiggi Donnarumma, i cili shikohet se pasardhësi i Buffon në kombëtaren italiane.