Sport

Statistikat në të mirë të Unitedit në derbin ndaj Liverpoolit

Descriptive Text

Fundjava e Premierligës do të jetë e nxehtë dhe gjithë sytë do të jenë në “Old Trafford”, pasi aty takohen gjigantët e elitës së futbollit anglez, Manchester United e Liverpool, të shtunën me fillim nga ora 13:30.

Barazim pa gola, përfundoi ndeshja e parë e zhvilluar në “Anfield”, por përballja e sezonit pranveror pritet të sjellë tjetër rezultat, marrë parasysh formën nëpër të cilën po kalojnë skuadrat, transmeton KTV.

Në pesë ndeshjet e fundit, “Djajtë e Kuq” kanë shënuar tre fitore e kanë humbur dy të tjera, kurse Liverpooli ka katër fitore e një barazim. United këtë edicion në shtëpi është mposhtur vetëm një herë nga City, dhe ka 16 fitore e 2 barazime, kurse Liverpooli ka pësuar vetëm një humbje në 20 ndeshjet e fundit në Premierligë, dhe ka 14 fitore e 5 barazime.

Ky do të jetë ballafaqimi numër 170 në ligë, ku Manchester United është më i suksesshëm me 67 fitore, kurse Liverpool ka 55.

Katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat kanë përfunduar baras.

16-të kartonë të kuq janë ndarë në ndeshjet e Premierligës kur kanë luajtur këto dy skuadra, ndërsa vetëm në derbin “Merseyside” janë parë më shumë përjashtime nga loja, gjithsej 21.

Nga të rejat në ekip, në dyshim për t’u paraqitur te United i Jose Mourinhos, është Anthony Martial dhe Ander Herrera, kurse te Liverpooli i Jurgen Kloppit, mund të jenë të gatshëm Jordan Henderson e Georginio Wijnaldum.

Të shtunën do të luajë edhe Chelsea me Crystal Palacen. Të dielën Arsenali në shtëpi e pret Watfordin kurse Tottenhami udhëton te Bournemouth, ndërsa xhiroja e 30-të mbyllet të hënën me përballjen Stoke City-Manchester City.