Sport

Wenger s’e ka ndërmend të dorëhiqet nga Arsenali

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, raportohet se i ka thënë stafit të tij se nuk e ka ndërmend të dorëhiqet në fund të sezonit.

68-vjeçari nënshkroi kontratë dyvjeçare verën e shkuar, por po bëhet thirrje për largimin e tij në fund të këtij sezoni pas formës së dobët në vitin e 22-të të tij tek Arsenali.

Humbja e së dielës ndaj Brightonit e lë Arsenalin me 13 pikë prapa vendeve që çojnë në Ligën e Kampionëve, dhe 33 pikë prapa Manchester Cityt që prin në ligë.

Gjithsesi, “The Times” raporton se Wenger akoma beson se është personi i duhur për Arsenalin dhe është i vendosur të mbesë deri në fund të kontratës te “Topçinjtë”.

Wenger raportohet se u kishte thënë pjesëtarëve të tjerë të stafit në klub se do të duhet ta shkarkojnë atë nëse duan që të mos e kenë më trajner.

Francezi po shpreson që lidhja e tij e fuqishme me aksionarin kryesor të klubit Stan Kroenke do ta mbajë në Londër edhe për më gjatë.

Një numër i madh i drejtorëve kanë humbur besimin te Wengeri, por preferojnë që ai të largohet vetë dhe të mos vendoset për shkarkimin e tij.

Shansi i fundit për shpëtimin e Wengerit shihet ndeshja me Milanin në 1/16 e finales në Ligën e Evropës.