Parlour nuk e sheh Xhakën të denjë për Arsenalin

Parlour nuk e sheh Xhakën të denjë për Arsenalin

06 mars 2018 12:55

Legjenda e Arsenalit, Ray Parlour, ka ftuar drejtuesit e Arsenalit të gjejnë një mesfushor të ri për pozicionin ku po luan aktualisht Granit Xhaka.

Ai ka thënë se Arsenalit i mungon një mesfushor më i mirë defensiv për ta zëvendësuar Xhakën.

“Arsenali ka nevojë për një mesfushor natyror mbrojtës. Ky është problemi i madh i skuadrës”, ka thënë Parlour njofton "dailystar".

Xhaka 25-vjeçar është kritikuar edhe më herët nga shumë ish-lojtarë të Arsenalit. Por trajneri Arsene Wenger vazhdon t'ia besojë mesfushorit të përfaqësueses së Zvicrës pozitën e mesfushorit defensiv. Xhaka është rregullisht titullar te Arsenali. Këtë edicion në Premier League të Anglisë ka luajtur 29 ndeshje. Ka shënuar një gol dhe ka asistuar pesë herë. Te Arsenali u transferua në verën e vitit 2016 nga skuadra gjermane Borussia Moenchengladbach. Karrierë ka bërë edhe te Baseli i Zvicrës.

Ndërkohë mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, është ndarë i zhgënjyer me humbjen nga Brightoni në fundjavë.

“Ne jemi të zhgënjyer me disfatë, por do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund. Nuk ka qenë humbje e pranueshme dhe ne duhet të ngremë nivelin e lojës. Nuk kanë shkuar gjërat siç duhet për momentin, këtë e dinë edhe tifozët, por ne duhet të mbajmë kokën lart, të punojmë dhe të bëjmë luftën tonë deri në fund të sezonit”, ka thënë Mustafi njofton "thestatesman.com".

Arsenali zë vendin e gjashtë me 45 pikë. Është larg qëllimeve që kishte. Ka pak gjasa që të zërë një vend për të siguruar paraqitjen në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm. Është në zonën që siguron në Ligën e Evropës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme