Sport

De Biasi flet për mosmarrëveshjen me Xhakën

Descriptive Text

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka konfirmuar në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Durrës se nuk e ka menduar largimin nga kombëtarja, derisa ka mbetur i zhgënjyer me tifozët shqiptarë në Palermo.

Duke folur për çështjen Xhaka, trajneri bëri të ditur se nuk kishte asnjë përplasje me të apo ultimatum për mospraninë në Kombëtare por saktësoi që Xhaka duhej të tregonte në fushë se meritonte të luante. “Mund të bëjmë edhe pa të”, tha ai, transmeton Panorama.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje taktikisht shumë të mirë, skuadra u paraqit mirë, surprizoi kundërshtarët në fillim, Mungonte finalizimi në momentet e rëndësishme se kur arrin para portës duhet të gjuash për të shënuar. Në fazën mbrojtëse me tre lojtarë është interpretuar mirë, ndonëse kishim 2 nga 3 lojtarët që nuk luajnë rregullisht në Serinë A në Itali”, ka thënë De Biasi.

“Ishte ndeshje me ndonjë vështirësi në fillim, me luhatje, por mendoj se në 90 minuta ishin prova të mira ato të Veselit dhe Ajetit, dy lojtarë te të cilët kam besim të madh se janë shumë të rinj dhe që kanë mundësi të rriten më shumë”, ka shtuar ai.

“Jam shumë i kënaqur me mbrojtësin tjetër të ‘shpikur’, Kukelin, një lojtar që bëri një ndeshje me shumë cilësi, me inteligjencë të jashtëzakonshme. Mirë ishin si Basha ashtu edhe Memushaj, edhe krahët, nga një krah Agolli dhe tjetri Hysaj. Bënë një ndeshje të mirë. Mendoj se në kompleksitet bëmë një ndeshje të mirë. Mirë edhe Roshi, Cikalleshi, apo edhe sakrifica e Lilës”.