Sport

Erza Muminoviq e 5-ta në Kupën Evropiane të xhudos

Descriptive Text

Pas suksesit që pati në Evropianin për kadet që u mbajt në Follonica të Italisë ku rrëmbeu të argjendtën, Erza Muminoviq shënoi sot edhe një sukses tjetër në xhudo.

Federata e Xhudos bën të ditur se ajo sot ka dalë e pesta në Kupën Evropiane që po mbahet në Antalia të Turqisë, transmeton Koha.net. Ajo garoi në kategorinë 44 kilogramë, në të cilën ishin 18 garuese.

“Muminoviq e filloi garën me fitoren ndaj turkes Sumeyye Demir, të cilën e mposhti me Ippon brenda një minute. Në ndeshjen e dytë humbi nga garuesja rumune Anne Brebinare, por në ndeshjen përmirësuese ajo e mposhti me Ippon turken Aslii Turan dhe medalisten e bronztë të Kampionatit të Azisë U18, Sara Kulym nga Kazakistani. Me këto dy fitore ajo u kualifikua për ndeshjen për medalje të bronztë kundër garueses nga Uzbekistani, Khalimajon Kurbonova, që është kampione e Azisë U18”, thuhet në konfirmimin e Federatës.

Këtë përballje Muminoviq e humbi, duke përfunduar kështu në vendin e pestë në këtë kategori.

Federata bën të ditur se ajo po përgatitet për Kampionatin Evropian për kadet që do të mbahet më 28 korrik në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në Antalia nesër do të garojë edhe Fationa Kasapi në kategorinë 57 kilogramë.