Sport

Tare ëndërron që një ditë ta drejtojë Shqipërinë

Në vitin e tij të 10 pas një tavoline në rolin e drejtorit Sportiv te Lazio, Igli Tare është konfirmuar si një ndër më të suksesshmit në këtë rol, i përzgjedhur në mënyrë plebishitare si Drejtori Sportiv i Vitit në Itali, ëndërron që një ditë ta drejtojë Shqipërinë.

Tare ka merita të padiskutueshme në projektin sportiv dhe atë financiar të Lazios, aty ku është shndërruar në një lloj mbreti Mida, i aftë për të shndërruar në ar gjithçka që prek, duke blerë lojtarë për pak milionë dhe duke u shumëfishuar vlerat e tyre.

Shembujt janë të panumërt, Strakosha një zbulim i vërtetë, Milinkoviq i blerë për 10 milionë euro dhe për të cilin tani Lazio kërkon të paktën 100 milionë euro, apo shumë e shumë të tjerë, transmeton SS. E megjithatë, edhe pse i jashtëzakonshëm në rolin e drejtuesit, ish sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares Shqiptare ende ka një ëndërr që e intrigon, atë për të drejtuar një ditë si trajner, por një skuadër të vetme. E zbulon në një intervistë të gjatë ku flet për shumë tema për të përditshmen më prestigjioze sportive në Itali, Gazzetta Dello Sport.

“Që kur isha lojtar kisha një dyshim, drejtues apo trajner. Rruga u bë menjëherë e qartë, por një njeri pa ëndrra është i vdekur, dhe unë ëndrrën time nuk e kam fshehur kurrë. Nëse një ditë bëhem trajner, do të drejtoj Shqipërinë, jo një klub”, ka thënë Tare.

Një ëndërr vërtet interesante që josh jo vetëm Taren, por me shumë mundësi edhe shumë tifozë shqiptarë, edhe pse nuk bëhet fjalë për një të ardhme të afërt.

Tare që po shijon suksesin si Drejtor Sportiv te Lazio, edhe pse pranon se ka pasur oferta për të bërë Drejtorin Sportiv në klube të tjera, për momentin është i përkushtuar maksimalisht te Lazio, një skuadër që mund të thuhet se në një farë mënyre e ka rritur vetë në këto 13 vjet të kaluar aty si lojtar dhe drejtues, dhe padyshim e ka në zemër.