Bonucci: Gattuso si Conte, luftojmë për Champions Foto: Reuters

Bonucci: Gattuso si Conte, luftojmë për Champions

01 mars 2018 23:22

Kapiteni i Milanit, Leonardo Bonucci nuk i ka fshehur emocionet, pasi kuqezinjtë arritën të sigurojnë finalen e Kupës së Italisë, që do të luhet më 9 maj dhe do të përballet me Juventusin.

Disa orë pas sfidës më Lazion në ‘Olimpico’, por edhe disa orë para derbit ndaj Interit, në plan për t’u luajtur të dielën, Bonucci rrëfen aventurën e tij te kuqezinjtë dhe vlerëson punën e skuadrës, transmeton SS.

Një kualifikim i vuajtur ai i djeshmi ndaj Lazios. Sa i rëndësishëm ishte për skuadrën?

Shumë i rëndësishëm, pasi na dha një tjetër leksion, se duke vuajtur së bashku, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Vinim pas një sfide shumë impenjative me Romën, por treguam vendosmëri dhe morëm një kualifikim më se të merituar.

Në finale do të gjeni të shkuarën tuaj, Juventusin. A shpresoni në një ‘hakmarrje’?

Shpresoj të japim maksimumin dhe të fitojmë Kupën, por nuk do ta quaja hakmarrje, pasi unë u largova me vullnet të plotë nga bardhezinjtë. Ata janë një skuadër e konsoliduar dhe janë favoritë për të triumfuar, por edhe ne kemi mundësitë tona dhe nëse impenjohemi maksimalisht, mund t’ia dalim.

Të dielën ju pret një tjetër sfidë delikate, derbi me Interin. Sa larg mund të shkojë ky Milan?

Derbi është derbi dhe mbetet gjithmonë një sfidë për t’u fituar. Kemi fituar shumë besim dhe jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje mjaft të mirë edhe të dielën në mbrëmje. Kjo skuadër është për Champions dhe këtë e them me bindje. Shpresoj të fitojmë kundër Interit dhe të luajmë shanset tona për një nga 4 vendet e para.

Me Gattuson, Milani ka rilindur. Si e vlerësoni punën e teknikut kuqezi?

Unë gjithmonë kam pasur besim te kjo skuadër dhe te ky grup, pavarësisht fillimit të vështirë. Gjithsesi, Gattuso ka arritur të nxjerrë në pah më të mirën e ekipit dhe është shpërblyer me këto rezultate. Ai është shumë kërkues dhe na injekton shumë grintë e besim. Më kujton shumë Conten te Juventusi, por edhe te Kombëtarja italiane.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme