Sport

Kastrati vendosi për Kosovën për ta bërë krenare familjen

Sulmuesi Flamur Kastrati ka vendosur të luajë për Kosovën për të bërë krenarë prindërit e tij. Këtë e ka deklaruar vetë 26-vjeçari në një intervistë për gazetën norvegjeze "Nettavisten".

Kastrati ka lindur në Oslo të Norvegjisë dhe ka luajtur për grupmoshat e reja të Norvegjisë. Madje me U-21 të Norvegjisë në vitin 2013 arriti deri në gjysmëfinale të Evropianit. Por në nivelin senior, Kastrati po luan për Kosovën. Deri më tani i ka luajtur tri ndeshje për Kosovën në futboll, shkruan sot Koha Ditore.

Kastrati së bashku me Valon Berishën e Bersant Celinën kanë vendosur për Kosovën para Norvegjisë. Të gjithë e kanë pasur të hapur mundësinë që të luanin për Norvegjinë. Madje Berisha kur vendosi për Kosovën ishte lojtar i rëndësishëm i Norvegjisë. Përzgjedhja ka të bëjë me krenarinë, ka thënë Kastrati.

"Unë dua që familja ime të jetë krenare me mua, duke luajtur për vendin prej nga është ajo, vendin që në nivelin e futbollit nuk ka asgjë. Kjo do të thotë se varet nga ne që të bëjmë diçka për të", ka thënë Kastrati. Ai ka treguar se nuk është e lehtë të luhet për Kosovën. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).