KOK-u e vlerëson të suksesshëm pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore

KOK-u e vlerëson të suksesshëm pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore

28 shkurt 2018 12:47

Ekipi Olimpik i Kosovës që përfaqësuan vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018, e kanë vlerësuar të suksesshëm dhe historike pjesëmarrjen e Kosovës në Olimpiadën e Kores së Jugut.

Delegacioni i Kosovës, dje është rikthyer në Kosovë, ku nga 9 e deri me 25 shkurt ishin pjesë e Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018. Kosova që për herë të parë ishte pjesë e një evenimenti kaq të madh, u përfaqësua nga skitari Albin Tahiri.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani e vlerësoi lartë paraqitjen e sportistit tonë të vetëm në PyeongChang 2018. Sipas Hasanit, Parashikimet dhe pritshmëritë e ekipit olimpik janë arritur. I pari i KOK-ut e vlerësoi të rëndësishëm edhe Festivalin Olimpik PyoengChang 2018, i cili u mbajt në Prishtinë krahas Olimpiadës në Korën e Jugut, raporton KosovaPress.

“Në emër të Bordit të KOK-ut dua të shpreh mirënjohjen për performancën e lartë të sportistit të vetëm në Lojërat Olimpike Dimërore, Albin Tahirit. Parashikimet dhe pritshmërit tona janë realizuar, sepse Albin Tahiri e radhiti Kosovën në mesin e shteteve pjesëmarrës aq sa kanë qenë edhe pritshmërit tona. Ngritja e flamurit në fshatin olimpik, ceremonia e hapjes dhe mbylljes solemne, takime të shumta me personalitete të larta të lëvizjes olimpike ndërkombëtare, ku veçohet takimi dhe intervista me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtare, Thomas Bach, janë karakteristikat që e veçojnë paraqitjen e delegacionit të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018. Kjo olimpiadë do të mbahet mend edhe për organizimin e festivalit Sportiv PyeongChang 2018 këtu në Prishtinë. Kosova ishte një nga nëntë vendet e licencuara për të qenë si pilot-projekt i festivalit olimpik PyoengChang 2018 që është mbajt ur në nëntë vende të përzgjedhur në mesin e 209 shteteve olimpike”, ka thënë Hasani.

Njeriu i parë i KOK-ut tha se festivali sportiv dëshmoi aftësitë dhe fuqitë organizative te Komitetit Olimpik të Kosovës. Sipas tij, mbi 8 mijë fëmijë kanë praktikuar për herë të parë patinazhin dhe mbi 4 mijë fëmijë kërlingun.

I ngazëllyer që ka përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018, është shprehur sportisti Albin Tahiri. Ai tha se është mundur të bëjë më të mirën ën mënyrë që të bëjë krenar popullin e Kosovës. Tahiri theksoi se është i lumtur që ka përfaqësuar vendlindjen e tij, transmeton KosovaPress.

“Dua të ju falënderoj që sot jeni këtu dhe shpresoj se ju kam bërë krenar. Jam shumë i lumtur që isha në PyeongChang dhe ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Dimërore PyoengChang. Ishte kënaqësi të përfaqësojë vendlindjen e babait tim dhe njëkohësisht vendin tim, sepse thellë në shpirtin tim ndihem shqiptar, edhe pse nuk e flas gjuhën shqipe aq mirë”, tha Tahiri.

Pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018, e ka vlerësuar historike edhe Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës, njëkohësisht nënkryetar i KOK-ut. Ai shprehet i kënaqur me rezultatet e Albin Tahirit, por, Kelmendi beson se në Olimpiadën e ardhshëm, Tahiri do të arrijë rezultate edhe më të mira.

“Edhe unë jam i mendimit se kjo ka qenë ngjarje historike për Kosovën, pra do të thotë pjesëmarrja për herë të parë në Lojërat Olimpike dimërore me garuesin Albin Tahirin. Sa për njoftimin e juaj, Albini ka lëvizur nga vendet 54,37, do të thotë se kjo nuk është e keqe, mendoj se kjo është e mirë. Faktikisht mbetet që në të ardhmen të punohet më shumë me Albin Tahirin, por unë mendoj se është një rezultat i kënaqshëm, nuk është rezultat i keq të cilin e ka arritur, ka mundësi që prapë të përmirësohet në Lojërat Olimpike të ardhshme”, theksoi Kelmendi.

Kreu i KOK-ut, Besim Hasani foli edhe për Lojërat Mesdhetare që këtë vit mbahen në Spanjë. Hasani theksoi se kanë marrë lajm nga Spanja se sportistët e Kosovës nuk do të kenë problem hyrjen në Spanjë,pasi që ky shtet akoma nuk e ka njohur Kosovën. Sipas Hasanit, Kosova në Spanjë do të udhëtojë më disa sportistë cilësorë.

Komentet

I Mitrovicsi28/02/2018 15:57

Nese KOK-u e vlereson te suksesshme pjesemarrjen vetem se "morren pjese", atehere ne rregull, perndryshe rezultatet e Albin Tahirit nuk jane edhe bash per tu krenuar.

Shto koment

Të ngjashme