Sport

UEFA sqaron sistemin e ri të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës

Nga sezoni i ardhshëm Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës do të kenë sistem të ri kualifikimesh.

Në një postim të gjatë UEFA ka shpjeguar rrugën për kualifikim dhe sistemin e garave, që tani dallon në disa pikë prej sistemit të shkuar.

Ndryshimet kyçe:

26 ekipe kualifikohen direkt për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Çdo ekip i eliminuar në kualifikimet për Champions ka një shans të dytë për Ligën e Evropës.

17 ekipe tani marrin hyrje direkte në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, me dhjetë ekipe që transferohen nga play-offi i Ligës së Kampionëve dhe raundi i tretë kualifikues, plus 21 ekipe që kualifikohen nga dy mënyrat e kualifikimeve.

Do të jetë një raund preliminar kualifikues për Ligën e Kampionëve (në formë të një mini-turneu) dhe një për Ligën e Evropës (me ndeshje vajtje-ardhje)


Liga e Kampionëve

Faza e Grupeve

Tani do të jenë 26 ekipe të kualifikuara direkt përmes koeficienteve të ligave:

Të kualifikuarit direkt janë:

Fituesi i Ligës së Kampionëve (1)

Fituesi i Ligës së Evropës (1)

Nga katër ekipe prej katër ligave kryesore: Spanja, Gjermania, Anglia, Italia (16)

Nga dy prej dy ligave tjera në renditjen e UEFA-s: Franca, Rusia (4)

Kampionët e federatave të renditura në pozitat 7 deri 10: Portugalia, Ukraina, Belgjika, Turqia (4)

Nëse fituesi i Ligës së Kampionëve kualifikohet përmes ligës së vet, vendi i mbetur mbushet nga kampioni i ligës së 11-të në Evropë.

Nëse fituesi i Ligës së Evropës kualifikohet përmes ligës së vet, vendi i lirë do të zihet prej ekipit të tretë të Francës.

Një ligë mund të ketë maksimum pesë ekipe

Kualifikimet: Janë dy rrugë kualifikimesh, “Rruga e Kampionëve” dhe “Rruga e Ligës”. Ekipet hyjnë në lista përmes koeficienteve të federatave në fund të sezonit 2016/17.

“Rruga e Kampionëve” (Katër vende në grupe)

Ky raund mbledh kampionët e federatave të ranguara nga pozita e 11 dhe më poshtë dhe tani përfshin edhe një raund kualifikues si dhe tri raunde të tjera edhe play-offin:

Raundi preliminar (Luhet si mini turne me katër ekipe)

Raundi i parë: 33 ekipe hyjnë, plus fituesi i raundit preliminar

Raundi i dytë kualifikues: Tri ekipe hyjnë, plus 17 të kualifikuarat nga raundi i parë

Raundi i tretë kualifikues: Dy ekipe hyjnë, plus dhjetë fitueset e raundi të dytë

Play-Offi: Dy ekipe hyjnë, plus gjashtë fitueset e raundi të tretë

Të gjitha ekipet që eliminohen nga rruga e kualifikimit për Champions mes raundit preliminar dhe atij të tretë do të kenë një shans të dytë për Ligën e Evropës, duke u dërguar në raundet kualifikuese.

Të eliminuarit nga play-offi në Ligën e Kampionëve, shkojnë direkt në Ligën e Evropës.

“Rruga e Ligës” (Dy vende në grupe)

Kjo rrugë e kualifikimeve përbëhet prej ekipeve të treta të federatave të pozicionuara në vendin e pestë dhe gjashtë në UEFA, si dhe prej nënkampionëve të federatave nga vendi i shtatë deri në 15. Janë tri raunde:

Raundi i dytë kualifikues: hyjnë gjashtë ekipe

Raundi i tretë kualifikues: pesë ekipe hyjnë, plus tri të kualifikuara nga raundi i dytë

Play-off: katër ekipet e kualifikuara nga raundi i tretë

Të gjitha ekipet e eliminuara në raundin e dytë kualifikues të “Rrugës së Ligës” do të kenë shansin e dytë të garojnë në kualifikimet për Ligën e Evropës. Ato që kualifikohen në rrethin e tretë dhe të play-offit shkojnë direkt në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.


Liga e Evropës

Faza e grupeve

Tani do të kualifikohen direkt 17 ekipe përmes koeficienteve evropianë.

Nga dy prej pesë ligave të para: Spanja, Gjermania, Anglia, Italia, Franca (10)

Nga një prej ligës së gjashtë e deri te e 12-a: Rusia, Portugalia, Ukraina, Belgjika, Turqia, Republika Çeke, Zvicra (7)

Dhjetë ekipe hyjnë në fazën e grupeve direkt nga Liga e Kampionëve: Gjashtë që eliminohen në “Rrugën e Ligës” dhe katër të eliminuara nga play-offi i “Rrugës së Kampionëve”.

Kualifikimet

Edhe në Ligën e Evropës do të jenë dy rrugë kualifikimi: E kampionëve dhe e ligës. Ekipet caktohen përmes koeficienteve të ligave.

“Rruga e Kampionëve” (Tetë vende në grupe)

Kjo rrugë përfshin tri raunde kualifikuese me nga tri skuadra në të gjitha:

Raundi i dytë kualifikues: 20 ekipe të eliminuara nga raundi preliminar dhe i parë i Ligës së Kampionëve

Raundi i tretë kualifikues: 10 ekipe të eliminuara nga raundi i dytë kualifikues së Ligës së Kampionëve, plus dhjetë fituesit e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës

Play-off: Gjashtë ekipe të eliminuara nga raundi i tretë kualifikues i Ligës së Kampionëve, plus dhjetë fituesit e raundit të tretë kualifikues të “Rrugës së Kampionëve” të Ligës së Evropës

“Rruga e Ligës” (13 vende)

Këtu hyjnë të gjitha 55 federatat plus ekipet e eliminuara nga raundi i dytë kualifikues në “Rrugën e Ligës” nga Liga e Kampionëve

Raundi preliminar: Hyjnë 16 ekipe

Raundi i parë kualifikues: 86 ekipe hyjnë, plus tetë fituesit e raundit preliminar

Raundi i dytë kualifikues: 27 ekipe hyjnë, plus 47 fituesit e raundit të parë

Raundi i tretë kualifikues: 15 ekipe hyjnë (tri të eliminuara nga raundi i dytë i “Rrugës së Ligës” nga Liga e Kampionëve) plus 37 fituesit e raundit të dytë kualifikues

Play-off: 26 fituesit e raundit të tretë


Kalendari për Ligën e Kampionëve

26 qershor: gjysmëfinalet e raundit preliminar

29 qershor: finalja e raundit preliminar

10/11 korrik: ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues

17/18 korrik: ndeshjet e kthimit në raundin e parë kualifikues

24/25 korrik: ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues

31 korrik/1 gusht: ndeshjet e kthimit të raundit të dytë kualifikues

7/8 gusht: ndeshjet e para të raundit të tretë kualifikues

14 gusht: ndeshjet e kthimit në raundin e tretë kualifikues

21/22 gusht: ndeshjet e para të play-offit

28/29 gusht: ndeshjet e kthimit të play-offit