Sport

Barcelona “shkel” Gironan, shkëlqen Suarez

Barcelona e nisi keq takimin e sotëm ndaj Gironas duke pësuar gol qysh në minutën e tretë kur shënoi Portu për epërsinë e Gironës.

Megjithatë ajo epërsi e mysafirëve zgjati vetëm dy minuta, pasi ishte Suarez që barazoi shifrat pas asistimit të Messit në minutën e 5, transmeton Koha.net.

Më pas Suarez ia ktheu asistin Messit kur po zhvillohej minuta e 30 për epërsinë e parë të Barcelonës. Argjentinasi shënoi edhe njëherë pas gjashtë minutave për ta çuar rezultatin në 3 me 1.

Suarez shënoi edhe njëherë në pjesën e parë, një minutë para fundit pas asistimit nga Coutinho.

Në minutën e 66 radha për të shënuar i erdhi Coutinhos, i cili me një goditje të bukur jashtë zonës së rreptësisë dërgoi topin në rrjetë. Për të asistoi Suarez.

Kurse në minutën e 76 Luis Suarez kompletoi “hat-trickun” duke shënuar me lehtësi pas asistimit nga Dembele, për rezultatin përfundimtar 6 me 1.

Barcelona vazhdon të jetë lidere, tani me 65 pikë, dhjetë pikë më shumë se ndjekësi i parë Atletico Madridi. Kurse Girona në vendin e 9 ka 34 pikë.