Sport

Përfaqësimi i Kosovës pa veshur fanellën e saj

Descriptive Text

Valon Behrami zgjodhi një mënyrë të veçantë për të treguar lidhjen që ka me Kosovën. Dhjet vjet më parë, kur vendlindja e tij Kosova u bë e pavarur dhe me flamur, Behrami vendosi ta bëjë atë tatuazh në trupin e tij, shkruan sot Koha Ditore në numrin e veçantë për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

E bëri në krahun e majtë dhe në vend të dukshëm. Nuk i mbulohet asnjëherë, pos në rastet kur fanella është me mëngë të gjata.

Behrami i lindur në Mitrovicë, gati në çdo intervistë për mediat e huaja, tregon se jeta e tij është e lidhur ngushtë me Kosovën. Ai është një prej shumë yjve që mbajnë Kosovën në zemër, por që nuk e përfaqësojnë atë në nivel zyrtar të garave. Behrami ka shumë vjet që luan për Zvicrën, vendin ku ka emigruar me familje kur ishte 4-vjeçar.

"Unë kam një tatuazh me flamurin e Kosovës, të cilin e kam bërë kur Kosova është shpallur shtet i pavarur", pati thënë Behrami në prillin e vitit 2017 në një intervistë për "The Guardian. Atëbotë ishte pjesë e skuadrës angleze, Watford.

Mesfushori i Udineses së fundi ka bërë edhe diçka tjetër që përshkruan fëmijërinë e tij në Mitrovicë, luftën dhe periudhën e paqes së brishtë në këtë qytet. Në tërë pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, ai ka bërë tatuazh urën mbi lumin Ibër, që aktualisht mban të ndarë Mitrovicën, pastaj një fëmijë me top, disa plumba dhe avionë të NATO-s që ndihmuan në çlirimin e vendit. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).