Sport

“Bale vlen së paku sa Neymari”

Descriptive Text

Agjenti i futbollistit të Real Madridit, Gareth Bale, beson se klienti i tij e meriton të jetë transferi më i shtrenjtë në botë, nëse largohet nga Bernabeu.

Bale së fundmi është lidhur me një rikthim në Angli, me Manchester Unitedin si destinacionin më të përmendur.

Gjithsesi, Jonathan Barnett thotë se uellsiani është shumë i lumtur te Reali dhe se e ardhmja e tij nuk varet nga Cristiano Ronaldo, që po ashtu është folur se mund të largohet.

“Ai vlen së paku 222 milionë eurot e paguara për Neymarin. Gareth është shumë i lumtur te Reali. Ai e do Madridin. Atij s’i duhet Cristiano Ronaldo që të largohet. Bale është yll te Reali”, ka thënë ai për “Tuttosport”.

Barnett ka bërë të ditur se para Realit, Balen e kishte kërkuar një ekip italian, por ka shtuar se “tani nuk ka asnjë klub italian që mund të japë paratë e mjaftueshme për futbollistin”.