Sport

Mavraj beson se Hamburgu do të mbijetojë

Mbrojtësi Mërgim Mavraj ende beson se skuadra e tij Hamburg nuk do të bjerë nga Bundesliga. Ai ka thënë se Hamburgu nuk ka krizë të lojës, por vetëm të rezultateve.

Mavraj luajti gjatë gjithë takimit te Hamburgu që të shtunën u mposht nga Dortmundi me rezultatin 2:0, në kuadër të xhiros së 22-të të Bundesligës. Me këtë humbje Hamburgu mbetet në pozitën e parafundit me 17 pikë, shkruan “Koha Ditore”.

“Gjithçka që mund të them është se kemi bërë disa gjëra pozitive ndaj Dortmundit. Luajtëm mirë në udhëtim. Ne nuk kemi hequr dorë nga lufta jonë. Ne do të vazhdojmë të besojmë se mund t'ia dalim. Unë jam i sigurt se do të shpërblehemi për gjëra pozitive që po i bëjmë. Por këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Mavraj të dielën për “mopo.de”. Hamburgu ndeshjen e ardhshme e luan kundër Bayer Leverkusenit.

“Nëse paraqitemi si kundër Dortmundit, nuk duhet të kemi frikë nga Leverkuseni. Presim përkrahje të madhe nga shikuesit”, ka theksuar Mavraj.

Humbje ka pësuar edhe Amir Abrashi me Freiburgun. U mposhtën 2:1 nga Hannoveri. Abrashi u paraqit gjatë gjithë takimit.