Sport

EJU: Jo vetëm vajzat e Kosovës janë të fuqishme

Pas medaljes së artë të Akil Gjakovës në Paris, Unioni Evropian i Xhudos (EJU) ka thënë se Kosova sot vërtetoi se jo vetëm vajzat i ka të fuqishme.

EJU thotë se Driton Kuka ka dëshmuar se me shumë sukses mund të punojë edhe me vajzat edhe me djemtë në xhudo, transmeton Koha.net.

Akil Gjakova sot mori medaljen e artë në Grand Slamin në Paris, duke u bërë i pari që arrin këtë sukses në kategorinë e meshkujve.

“Nëse ndokush flet xhudon në Kosovë shumica e njerëzve mendojnë për vajat e famshme – Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, dhe Nora Gjakova. Pas ditës së parë në Paris tani e dimë se, jo vetëm vajzat janë të fuqishme në Kosovë. Akil Gjakova fitoi medaljen e tij të parë të artë në një Grand Slam. Ai është i pari burrë në Kosovë që ka fituar këtë titull. Trajneri Driton Kuka ka dëshmuar se ai mund të punojë me shumë sukses edhe me vajzat edhe me djemtë”, ka shkruar EJU në rrjetet sociale.

Në Grand Slamin e Parisit sot medalje ka rrëmbyer edhe Distria Krasniqi, e cila mori të bronztën.