Sport

Trajneri serb përleshet me futbollistin shqiptar

Ekipi serb i futbollit nga Beogradi, “Çukariçki”, këto ditë po qëndron në Qipro për të zhvilluar disa ndeshje miqësore.

Sot ekipi serb luajti ndeshjen e fundit miqësore me ekipin suedez Brommapojkarna, ekip i cili gjatë këtij muaji siguroi shërbimet e sulmuesit shqiptar të Kosovës që jeton në Norvegji, Bajram Ajeti.

Gjatë kësaj ndeshjeje, siç mësohet, pati një ndërprerje pasi trajneri i ekipit serb deshi të sulmonte pikërisht Ajetin, që ka prejardhje nga Drenica, raporton Koha.net.

Siç raportojnë mediat serbe, “fajtor” i tërë kësaj ngjarjeje ka qenë pikërisht Ajeti, i cili, sipas tyre, “e ka nervozuar trajnerin serb Nenad Lalatoviq, i cili i ka humbur nervat dhe është fjalosur ashpër me të”.

“Futbollisti me prejardhje shqiptare (i lindur në Drenicë) ka fluturuar për të mbërritur topin i cili veçse kishte dalë jashtë lojës, para bankës rezervë të ‘Çukariçkit’. Strategu i ri ka provuar të largohet, por Ajeti në atë moment e shtynë atë, gjë e cila e nervozoi Lalatoviqin aq shumë sa hyri në debat të ashpër me të. Porsa gjërat u qetësuan, ish-përzgjedhësi i reprezentacionit të të rinjve të Serbisë hyri në fushë dhe sërish nisi një debat të ashpër me futbollistin e Brommapojkarna, por që gjyqtari ia doli të kontrollonte situatën dhe ndeshja u zhvillua deri në fund”, shkruan “Novosti”, transmeton Koha.net.

Ndeshja përfundoi me fitoren e ekipit suedez (2:1), dy gola të cilat i shënuan pikërisht pas ndërprerjes së ndeshjes.

{gallery}