Sport

Strakosha synon Ligën e Kampionëve me Lazion

Në sezonin e tij të parë si titullar, Thomas Strakosha nuk i vendos limite vetes. “Gardiani” kuqezi i Lazios, që ka arritur të kthehet në një pikë referimi në formacionin e Inzaghit, dëshiron me çdo kusht kualifikimin në UEFA Champions League.

Aktualisht bardhekaltërit renditen në vendin e tretë të Serie A, por frymëmarrja e Romës dhe Interit ndihet pas asaj humbjeje në “Olimpico” kundër Genoas.

Numri 1 i portës së kryeqytetasve gjithsesi sheh nga e ardhmja, duke theksuar se objektivi i tij personal, por edhe ai i klubit është rikthimi në Europën që vlen.

“Shpresoj ta mbyllim kampionatin në zonën Champions, për të marrë nga ky sezon atë që na takon”, theksoi me bindje 22-vjeçari shqiptar gjatë një ceremonie me një klub tifozësh lokalë në Latina, transmeton SS.

Në vijim, Strakosha u ndal te rritja e tij e pabesueshme gjatë muajve të fundit, ku falë reflekseve të pastra ka arritur t’i sigurojë Lazios një numër të madh pikësh.

“Merita kryesore për këtë shkon tek përgatitësi im Griggioni”, shton numri 1 bardheklatër, që gjatë këtij sezoni mes Europës, Kupës dhe kampionatit numëron 23 ndeshje si titullar.

Aktualisht, përveç vendit të tretë, Lazio mbetet në garë për biletën e finales së Kupës së Italisë, ndërsa në 1/8-at e Europa League do të ndeshet në 180 minuta me Steauan e Bukureshtit. Strakosha, ndryshe nga praktikat e shumë klubeve të tjera, konsiderohet titullar në të tre kompeticionet nga trajneri Simone Inzaghi, me të cilin ka nisur një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm shumë vite më parë në radhët e të rinjve të Lazios.