Sport

KOK-u mban Asamblenë e përgjithshme, diskutoi për pasqyrat financiare

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se njohja nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe njohjet e federatave kombëtare nga ato ndërkombëtare e kanë vendosur Komitetin Olimpik të Kosovës para një përgjegjësie të madhe për të demonstruar kredibilitetin dhe qeverisjen e mirë në sport.

Ai këto komente i bëri në Asamblenë e përgjithshme vjetore të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK, ku është diskutuar për Pasqyrat Financiare për vitin 2017, Raporti i Punës (objektivat strategjike) së KOK-ut për 2018, Plani Financiar për vitin 2018 etj.

“Sesioni i 127 i KON-it, i mbajtur në javën e dytë të dhjetorit 2014 karakterizohet me njohjen e KOK-ut dhe njohjen e agjendës olimpike 2020. Ndër shtyllat qendrore të rekomandimeve të dala nga agjenda olimpike mbeten kredibiliteti, qëndrueshmëria dhe të rinjtë. Për Kosovën si anëtarja e 205 e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, më i riu në Evropë, përpilimi i strategjisë së KOK-ut 2015-2020 ka rëndësi sublime dhe është krucial për orientimin zhvillimor të sistemit sportiv të Kosovës”, ka thënë ai.

Hasani theksoi se Bordi i KOK-ut ka punuar me vullnet dhe entuziazëm për demonstrimin e kredibilitetit dhe të qeverisjes në KOK, ndërsa shtoi se përzgjedhja e stafit të KOK-ut është bërë në dije, aftësi dhe shkathtësi.

Në funksion të demonstrimit të transparencës, kreu i KOK-ut theksoi se është funksionalizuar këshilli mbikëqyrës 5 anëtarësh, i përzgjedhur nga asambleja vjetore e vitit 2016, të cilët kanë kontrolluar çdo projekt të KOK-ut, përderisa stafi i KOK-ut ka qenë i gatshëm për t’u përgjigjur në çdo pyetje nga ana e këtij komisioni. Ai tha se katër persona përgjegjës marrin pjesë në ekzekutimin e një transaksioni financiar, sado i vogël qoftë, i cili në mënyrë obligative duhet të jetë nëpërmes sistemit bankar.

“Të gjitha federatat dhe klubet duhet të aplikojnë një sistem të tillë, ju sigurojnë se asnjë transaksion financiar nuk mund të ekzekutohet pa iniciativën e menaxherit të projektit , pa u proceduar nga përgjegjësi për financa, pa u verifikuar nga sekretari i përgjithshëm dhe pa u miratuar përfundimisht nga presidenti”, ka thënë Hasani, raporton KP.

Ai ka folur edhe për strategjisë së KOK-ut, ku me qëllim të tejkalimit të pikave të dobëta janë organizuar 14 kurse bazike për administratorët të sportit dhe janë certifikuar 300 administratorë të sportit. Hasani tha se KOK-u ka ndihmuar financiarisht federatat e sportit të Kosovës, ndonëse shumat ishin të vogla.

“Kosova pas Rio 2016 bëri histori të dyfishtë përmes medaljes së Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Pjongçang të Koresë së Jugut. Kemi një sportist të shkëlqyer në pesë disiplina dhe do të bartë flamurin e Kosovës me rastin e hapjes solemne të lojërave olimpike. Albin Tahiri ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën me nder dhe krenari”, ka thënë Hasani.

Një fjalë rasti mbajti edhe Albin Tahiri, i cili tha se në vitin 2008 kishte vendosur të lë Slloveninë dhe të vijë në Kosovë, dhe se ky ishte vendimi i tij më i mirë dhe është krenar të jetë pjesë e Kosovës në Lojërat Olimpike.

Tahiri është skitar i Kosovës dhe do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore në Korenë Jugore, ku do të jetë i pranishëm në pesë disiplina.

Përfaqësuesi i MKRS-së, Ibër Alaj, në emër të kësaj ministrie, ka thënë se kjo ministri së bashku me KOK-un mund të arrijë qëllimin që sporti të avancohet, duke pasur një plan strategjik.

Ndryshe, në punimet e kësaj asambleje menjë minutë heshtjeje janë përkujtuar personat kontribuues për sportin që kanë ndërruar jetë gjatë vitit 2017.