Sport

Ramos: Lojtarët e Realit përkrahin Zidanen

Kapiteni Sergio Ramos ka mbrojtur menaxherin Zinedine Zidane, duke insistuar se ekipi është përgjegjës për dështimin e Real Madridit në Kupën e Mbretit.

Kampioni evropian dhe spanjoll është duke kaluar në një formë të keqe këtë sezon dhe kjo u konfirmua me eliminimin nga Kupa e Mbretit në çerekfinale.

Madridi është 19 pikë larg pozitës së parë në La Liga dhe do të përballen me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve, por Ramos ka thënë se në këtë fazë është e gabuar të shkarkohet Zidane.

“Nuk jam fans i ndryshimeve”, ka thënë Ramos. “Ne jemi të parët që përkrahim Zidane. Të eliminohesh nga Kupa e Mbretit është dështim”.

“Janë kohëra të vështira, por duhet të jemi të bashkuar dhe të mos dorëzohemi për pjesën tjetër të sezonit. Duhet të mësoni nga momentet e këqija. Ne jemi përgjegjës dhe shpresojmë që ta përdorim në të ardhmen. Ende jemi në Ligën e Kampionëve”.