Sport

Drita gati për pranverë, pret edhe dy përforcime

“Bardhekaltrit” e Dritës së Gjilanit, prej 2 javësh kanë filluar stërvitjet intensive për sezonin pranveror.

Në stërvitjen e 25 në total gjatë kësaj periudhe, ku Drita zhvilloi edhe dy ndeshje kontrolluese, ishin të pranishëm rreth 30 futbollistë, që të gjithë në gjendje të mirë fizike.

Drita në stinorin vjeshtor përfundoi e treta, me katër pikë më pak se lideri Llapi, ndërsa u kualifikua edhe për rrethin e katërt të Kupës së Kosovës, aty ku do të luajë me Istogun.

Drejtori sportiv i skuadrës, Fisnik Kërçeli, tha se Drita mund të përforcohet me dy lojtarë, por shtoi se u beson ardhjeve të verës.

Nga kjo skuadër janë liruar dy futbollistë, Lauren Ismaili dhe Emanuel Sarpong.

Kapiteni, Ardian Limani, por edhe Leotrim Kryeziu, Xhevdet Shabani e Kastriot Rexha, besojnë fuqishëm në forcën dhe cilësinë e ekipit.

Limani nuk stërviti për shkak të një lëndimi të lehtë, kurse Kryeziu sipas burimeve të Kohavisionit, e ka pranuar thirrjen nga Kombëtarja e Kosovës për miqësoren ndaj Azerbajxhanit.

Për formën e lojtarëve dhe mënyrën e stërvitjeve gjatë kësaj kohe, foli trajneri i portierëve Afrim Shahini, në mungesë të kryetrajnerit Bekim Isufi, që gjendej në një seminar.

Shahini për një kohë të gjatë ka punuar edhe me portierin Betim Halimi, që me shumë gjasë do të transferohet në një klub në Belgjikë apo Turqi. Ai nuk e la pa i përmendur pikat e forta të gjigantit të portës.

"Bardhekaltrit" pjesën tjetër të përgatitjeve, do ta vazhdojnë në Ohër te Maqedonisë për 10 ditë.