Sport

Federer triumfon në Indian Wells

Roger Federer po rishkruan librin e historisë së tenisit. Nëse disa muaj më parë fitoi titullin e 18 Grand Slam të karrierës në Australi, mbrëmjen e së dielës shkroi një kapitull të ri.

Duke mundur Stanislas Wawrinka në finalen e Indian Wells (6-4 dhe 7-5 në 1 orë e 19 minuta), 35-vjeçari bëhet tenisti më i vjetër që ka fituar një Masters 1000, duke kaluar amerikanin Andre Agassi, i cili kishte fituar Mastersin e Sinsinatit në moshën 34-vjeçare.

Gjithashtu, ky është titulli i 90 në karrierë për zviceranin, i cili tashmë ka përpara vetes vetëm Jimmy Connors (109) dhe Ivan Lendl (94), transmeton TCH.

Edhe pse në moshë aspak të re, Federer këtë vit ka një formë fantastike: 12 fitore dhe vetëm 1 humbje. Ndërsa kundër 10 tenistëve më të mirë të botës aktualisht, Federer numëron 6 fitore dhe asnjë humbje.