Sport

Conte: Mourinho nuk është burrë

Descriptive Text

Vazhdon lufta verbale ndërmjet Antonio Contes dhe Jose Mourinhos.

Trajneri i Chelseat, Conte pas ndeshjes së sotme ndaj Norwichit në FA Cup, ka thënë se trajneri i Unitedit, Jose Mourinho nuk është burrë pasi tenton të ofendojë.

Gjithçka kishte nisur kur Mourinho e kishte quajtur Conten “një palaço”, kurse italiani i ishte kundërpërgjigjur duke thënë se edhe Mourinho “festonte si palaço”.

Më pas portugezi kishte deklaruar se, “ajo çfarë nuk do të më ndodh mua kurrë është që nuk do të suspendohem për kurdisje të ndeshjeve, kurrë nuk më ka ndodhur kjo dhe kurrë nuk do të ndodhë”.

Ndërsa sot Conte ka deklaruar se, “është e vështirë t’iu përgjigjesh komenteve të tilla. Kur synimi i dikujt është të ofendojë një tjetër, atëherë nuk jeni burrë. Të gjithë e njohim atë shumë mirë nga e kaluara, ai është gjithmonë njëjtë. Kjo është mënyra e tij, kjo nuk më befason. Por, jeta vazhdon nuk jam i brengosur për të. Është mundësi e mirë që të sqarohemi në një dhomë, unë e ai, kur të përballemi me Manchester Unitedin”, është shprehur Conte për BT Sport.

Më tutje Conte shtoi, “më kujtohet kur ai e ofendoi Claudio Ranierin për anglishten e tij. Kur Ranieri më vonë u shkarkua ai e veshi një fanellë për Ranierin, ai është fals. Kjo tregon se jeni njeri i vogël. Ai ishte në të kaluarën, është tani dhe do të jetë edhe në të ardhmen njeri i vogël”.