Sport

Barazimi City-Liverpool, Guardiola i lumtur e Kloppi jo

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është ndarë i lumtur me barazimin e skuadrës së tij me Liverpoolin.

“Qytetarët” barazuan 1 me 1 me “Të Kuqtë” në një ndeshje me shumë raste për gol.

“Nuk mund ta imagjinoni. Është një nga ditët më të lumtura në karrierën time si trajner. Jam shumë krenar. Pas Ligës së Kampionëve, pak ditë ushtrime dhe shumë pikëllim, njerëzit nuk flasin aq shumë. U kthyem me Liverpoolin që s’ka gara evropiane dhe pati një javë kohë për t’u përgatitur. Shpirti që treguam më bën të kem sot ditën ndër më të lumturat si trajner. Krijuam më shumë shanse se ata”, ka thënë Guardiola për “SkySports” pas takimit.

Jo i kënaqur është treguar me deklaratën e tij Jurgen Klopp që ka thënë se ekipi i tij ka mundur të fitonte këtë ndeshje sepse kishte shumë raste për gol.

“Të nxjerrësh një pikë ndaj një ekipi si City është në rregull. Por ka pasur situata ku nuk mund të mbroheshim. Mund të kishim fituar ndeshjen sepse detyruam portierin e tyre të bënte disa pritje të mrekullueshme. Patëm tri apo katër raste të mira nga afërsia. Ndoshta është në rregull, por tani s’jam i lumtur”, ka thënë gjermani.

City është i treti me 57 pikë e një ndeshje më pak, ndërsa Liverpooli i katërti me 56 pikë të tubuara.