Sport

Arsenali e Chelsea ndajnë pikët në derbin e Londrës

Arsenali dhe Chelsea kanë ndarë pikët në derbin e Londrës në kuadër të xhiros së 22-të në Premier Ligë, duke barazuar 2 me 2.

Të katër golat e ndeshjes u realizuan në pjesën e dytë.

Arsenali kaloi në epërsi përmes Jack Wilsheret në minutën e 63-të, ndërsa rezultatin e barazoi Eden Hazard vetëm katër minuta më pas. Në minutën e 84-të, Marcos Alonso realizoi golin e epërsisë për “Blutë”. Hector Bellerin në minutat shtesë shënoi për 2 me 2.

Në tabelën e Premier Ligës, pas 22 xhirosh Chelsea mbetet në pozitën e tretë me 46 pikë të tubuara. Skuadra e Antonio Contes mbetet 14 pikë prapa liderit Manchester City dhe një prapa Unitedit që mban pozitën e dytë. Në anën tjetër, Arsenali i Granit Xhakës dhe Shkodran Mustafit mbetet i gjashti me 39 pikë të tubuara, një më pak se Tottenhami që është i pesti dhe pesë prapa Liverpoolit që është i katërti.