Sport

Tridhjetë minuta ankth e frikë në qiellin e Bakusë

Një udhëtim që nuk do të harrohet kurrë ishte ai nga Stambolli për në Baku i Përfaqësueses U-21 të Kosovës në futboll. Në mëngjesin e 12 nëntorit, ekspedita e përfaqësueses Shpresa e Kosovës udhëtoi nga Prishtina për në Stamboll, ndërsa më vonë atë ditë nga Stambolli për në kryeqendrën e Azerbajxhanit.

Shpresat po udhëtonin për të luajtur ndeshjen me Azerbajxhanin, që u takoi eliminatoreve për Evropianin e vitit 2019, shkruan “Koha Ditore”. Çdo gjë ishte në rregull deri në kohën kur aeroplani po përgatitej për të aterruar në një prej pistave të aeroportit “Heydar Aliyev International Airport”.

Por kontakti i parë i aeroplanit me tokën nuk ishte i zakonshëm. Me të prekur në tokë, për befasinë e të gjithë udhëtarëve në bord, aeroplani u ngrit sërish në ajër. Aeroplani nuk vazhdoi lëvizjen në pistë, por qëndroi në ajër edhe për të paktën gjysmë ore. Kjo ngjalli frikë e panik tek udhëtarët, natyrisht edhe te lojtarët e trajnerët e Kosovës dhe te zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës. Të gjithë pranuan se ishte moment i vështirë, se diçka e tillë po iu ndodhte për herë të parë. Dhe për shumicën udhëtimet me aeroplan janë të rregullta, falë punës që bëjnë në futboll dhe lëvizjeve të vazhdueshme.

“Me të aterruar, menjëherë pasi i kanë prekur gomat në tokë, aeroplani është ngjitur prapë lart në ajër. Jemi frikësuar të gjithë. Kemi ndier pasiguri të madhe. Nuk e kemi kuptuar nëse aeroplani ka rënë vonë në pistë, nëse piloti ka vlerësuar se nuk do të mundë të ketë rënie të duhur apo nëse ka pasur diçka përpara në pistë. Pas ngritjes së pazakonshme, aeroplani ka kaluar në ajër edhe rreth gjysmë ore dhe është lëshuar sërish. Rënia e dytë ishte e zakonshme, pa ndonjë telash. Ne lojtarët në fillim nuk e kemi ditur as çka është bërë, pasi ishim më prapa. Por që jemi frikësuar shumë është e vërtetë. Ata që ishin më përpara, trajnerët e zyrtarët, besoj që e kanë pasur më të vështirë”, ka thënë njëri prej lojtarëve të U-21 të Kosovës, që bën karrierë jashtë vendit.

Rrëfimi i Brandos

Nuk kanë munguar lutjet gjatë qëndrimit të paplanifikuar në ajër, për rënie të qetë në tentimin e dytë. Pak kanë folur lojtarët mes vete gjatë atyre 30 minutave. Kanë qëndruar në heshtje, në pritje të rënies së dytë. Kanë ndier pasiguri. Ndonjëri është munduar të kalojë gjendjen jo të lehtë me ndonjë shaka, por që nuk ka kryer punë.

Vetëm pasi rënia e dytë ishte e suksesshme dhe e qetë, lojtarët e trajnerët kanë folur pak më lirshëm për ngjarjen. E kanë kthyer në shaka, ndërsa ka pasur propozime për gatimin e hallvës nga nënat e lojtarëve, për momentin e vështirë të kaluar me sukses.

Rastin e kanë konfirmuar lojtarë, trajnerë e zyrtarë të Federatës... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)