Sport

Doruntina Sylejmani e gatshme për Kosovën

Doruntina Sylejmani është e gatshme të luajë për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll.

Sylejmani që luan në pozitën e bekut të majtë ka nisur procedurat për rregullimin e dokumentacionit dhe do të jetë e gatshme për të dhënë kontributin e saj në sfidat e ardhshme, shkruan Koha Ditore.

Sylejmani është pjesë e ekipit gjerman, HSG Vfr Eintracht.

"Doruntina është e lindur në vitin 1999, e gjatë 1.77 centimetra dhe luan në pozitën e bekut të majtë. Federata e Hendbollit e Kosovës u kushton shumë rëndësi talenteve dhe synon që një pjesë të madhe të tyre t'i bindë për t'iu bashkuar Kosovës. Doruntina këto ditë të fundvitit 2017 i shfrytëzoi që të rregullojë edhe dokumentacionin dhe do të jetë në dispozicion të Kosovës në sfidat e ardhshme", njoftoi FHK-ja.

Ndërkohë FHK-ja ka njoftuar edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv në Prishtinë.

"FHK në kuadër të shkollimit të kuadrove profesionale të trajnerëve të hendbollit, sipas programit të Federatës Evropiane të Hendbollit (Rinck Convents), ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv që të bëjnë instalimin e këtij programi edhe në Kosovë", thuhet në njoftim.