Sport

Besnik Hasi në Gjakovë, premton ndihmë për KF “Vëllaznimin”

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka pritur në një takim ish – futbollistin e trajnerin e disa skuadrave evropiane si dhe reprezentuesin e kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, me të cilin ka zhvilluar një bisedë tejet miqësore.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, Burbuqe Bakija – Deva, si dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjakovës, Saranda Hyseni.

Gjini fillimisht e ka njoftuar Hasin për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet sporti gjakovar, veçmas futbolli dhe klubi futbollistik “Vëllaznimi”, ndërsa ka shtuar se qeverisja e re lokale është duke bërë përpjekje që të gjejë forma për përmirësimin e kësaj situate.

Duke u fokusuar tek problemet e “Vëllaznimit”, kryetari Gjini ka njoftuar se së shpejti do të formohet një komision profesionistësh përkatës, të cilët do të gjejnë format dhe mundësitë ligjore për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin e klubit, duke e kthyer klubin në një Shoqëri Aksionare, me kushte dhe situatë shumë më të mirë se sa situata aktuale.

Gjini gjithashtu e ka njoftuar futbollistin gjakovar se komuna bashkë edhe me qeverinë qendrore po planifikojnë ndërtimin e një stadiumi të ri për qytetin e Gjakovës, stadium i cili do të ofrojë kushte shumë më të mira për ndeshje futbollistike dhe ushtrime të futbollistëve.

Kryetari ka thënë se “do të ndërtojmë edhe stadiumin e ri të futbollit” dhe do të gjejmë hapësira për ndërtimin e dy fushave ndihmese për ushtrime.

Nga ana tjetër, futbollisti Besnik Hasi, ka premtuar që me përvojën e tij shumëvjeçare në futbollin evropian do ta ndihmojë sportin gjakovar, veçmas Klubin Futbollistik“Vëllaznimi”, klub në të cilin vet Hasi ka marrë hapat e parë si futbollist.

Ai ka thënë se me kënaqësi do të bartë tek “Vëllaznimi” të gjitha përvojat e fituara deri me tani, qoftë si futbollist qoftë si trajner, ndërsa ka shprehur dëshirën e tij që “Vëllaznimi” të këndellet dhe në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e klubeve më të mira evropiane.