Sport

Viti historik i Trepçës ‘89

2017-ta do të shkruhet me shkronja të arta në histori të Trepçës ’89.

Skuadra nga Mitrovica fitoi titullin e kampionit të Kosovës në futboll, për herë të parë në historinë 28-vjeçare.

Tri xhiro para fundit të kampionatit, pas fitores si mysafire ndaj Besës në Pejë, 89-shi siguroi titullin e kampionit dhe me këtë edhe të drejtën e përfaqësimit të Kosovës për herë të parë në Ligën e Kampionëve.

Zyrtarisht, titulli i kampionit nga FFK-ja, iu dorëzua në xhiron e fundit kundër Feronikelit, ku pas 33 ndeshjeve, Trepça ’89 mblodhi 77 pikë, pas 24 fitoreve, 5 barazimeve dhe vetëm 4 humbjeve.

Treshja e frikshme, Oto John, Florent Hasani dhe Fiton Hajdari, ishin ata që shpërthyen, ku të tre së bashku shënuan 53 gola, që i bie më shumë se gjysma e golave të skuadrës nga Mitrovica.

Suksesi i Trepçës ’89, u arrit me tre trajnerë të ndryshëm në krye të skuadrës. E nisi Bekim Shotani, e vazhdoi Veton Çitaku që e mbylli stinorin vjeshtor si kampion, kurse në pranverë erdhi nga Maqedonia, Zekerija Ramadani, i cili e shpalli 89-shin kampion.

Merita të mëdha për titullin e arritur pas gati tri dekadave, pa dyshim që ka kryetari i klubit, Abedin Zeka, i cili është në krye të 89-shit, për më shumë se 20 vjet.

Nga Superliga në edicionin 2016/2017 u larguan direkt Trepça dhe Hajvalia si dhe Ferizaj në barazh, kurse shpëtoi Drita që mposhti Dukagjinin 2:1 në ndeshjen e barazhit.

Ndërkaq, pjesë e Superligës pas disa vitesh mungesë u bënë: Flamurtari e Vëllaznimi, kurse Vllaznia e Pozheranit, e preku rangun më të lartë të futbollit kosovar për herë të parë në histori të klubit, pas fitores në barazh ndaj Ferizajt pas ekzekutimit të penalltive.

Në Kupë triumfoi Besa e Pejës që mposhti Llapin në finale, pas penalltive dhe kështu e la skuadrën llapjane pa marrë pjesë në para-kualifikime të Ligës së Evropës.

Për pejanët ishte Kupa e tretë pasluftës, por pavarësisht suksesit, Besa mbeti në shtëpi për shkak se nuk i plotësoi kriteret për të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës, gjë e cila nuk vlente për Llapin, klub që i plotësonte kriteret e kërkuara nga UEFA.