Sport

Sfida e Arsenalit për t’i bërë bashkë kualitetet e Xhakës

Granit Xhaka supozohej se do t’i jepte Arsenalit një dimension tjetër, por analistët ende janë në pritje të ngritjes së mesfushorit shqiptar, shkruan Adam Bate për Sky Sports.

Fansat e Arsenalit e dinë për interesimin e klubeve tjera për yjet e klubit, por u befasuan kur dëgjuan se Bayern Munichu është duke përgatitur një ofertë për Xhakën. Sipas ish-menaxherit Ottmar Hitzfeld, klubi gjerman është duke monitoruar Granit Xhakën.

“Bayern Munichu natyrisht që e ka në radar Xhakën”, ka thënë ditë më parë Hitzfeld për Bildin. “Xhaka është temë kryesore në klubet e mëdha dhe zhvillimi i tij ende nuk është kompletuar”.

Kur Arsenali e bleu Xhakën për 40 milionë euro nga Borussia Monchengladbachu, kishte pritje se lojtari do të ketë ndikim të menjëhershëm, kësaj ia shtuan edhe disa paraqitje të mira me Zvicrën në Euro 2016.

“Mendoj se do të ketë ndikim të madh”, kishte thënë Wenger në shtator. “Ai është motor, i fuqishëm dhe ka pasime të gjata. Këto ne duam t’i përdorim në mënyrë të saktë”, transmeton Koha.net.

Mesut Ozili foli për energjinë pozitive të Xhakës, derisa Per Mertesacker e përshkroi si një transferim të përkryer që ka sjellë tempo për gjithë ekipin.

Disa kualitete të Xhakës kanë kapur syrin e njerëzve. Saktësia e pasimeve të gjata është e rrallë në Emirates. Ai ka më shumë pasime të gjata sesa çdo lojtar tjetër i Arsenalit.

Por Wenger shpesh ndërroi rolet e Xhakës në fushë. Më herët Xhakën e cilësonte si një lojtar “box-to-box”, por ndërroi mendje më vonë.

Ndëshkimet me kartonë të kuq të Xhakës ndaj Swanseat dhe Burnleyt gati sa nuk i kushtuan me pikë Arsenalit, derisa Wenger e kishte kritikuar mesfushorin shqiptar për ndërhyrjet e tij të panevojshme.

Wenger pas këtyre ndërhyrjeve i bëri thirrje Xhakës që të adoptohet jo vetëm me stilin e lojës së Arsenalit, por të mësojë se si të realizojë ndërhyrje të sakta.

SkySports shkruan se Xhaka ka kualitete interesante, që shumë prej tyre i mungojnë Arsenalit. Por sfida e klubit londinez është që t’i bëjë bashkë këto kualitete për ta bindur Wengerin dhe klubin se ai është zgjidhja e problemeve të Arsenalit dhe jo të jetë vetë problemi.