Sport

Prishtina humb rast prej mbi 50 mijë eurosh në BAT

Klubet kosovare vazhdojnë të humbasin raste në Tribunalin Arbitrar të Basketbollit (BAT) të FIBA-s.

Në vitet e kaluara raste kanë humbur Peja e Sigal Prishtina, ndërsa Peja aktualisht e ka të ndaluar transferimin e lojtarëve pasi ka borxhe prej 150 mijë eurosh ndaj lojtarëve, trajnerëve e menaxherëve të huaj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prishtina kishte humbur raste edhe në të kaluarën, por kishte arritur marrëveshje me palët që e kishin paditur. Së fundi e ka humbur edhe një rast, ndaj basketbollistit lituan, Aurimas Kiezha. Ai ka luajtur për Prishtinën në edicionin 2013/14.

“Është një vendim i BAT-it për Kiezhan, prej më shumë se 50 mijë eurosh, por që nuk është definitiv. BAT-i ka kërkuar nga Prishtina që të arrijë marrëveshje me lojtarin për obligimet ndaj tij. Nëse nuk arrihet marrëveshja atëherë hapi i parë është ndalimi i transferimit të lojtarëve. Një ndalesë të tillë tashmë e ka Peja”, ka thënë kryetari i FBK-së, Erolld Belegu.

I kontaktuar nga gazeta, Kiezha nuk ka dashur të komentojë për rastin e fituar ndaj Prishtinës.