Sport

Ademi beson se mund të japë më shumë për Dinamon

Kapiteni i Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi, është i kënaqur me paraqitjet e tij. Por ai thotë se mund të japë kontribut edhe më të madh.

Megjithatë, insiston se i duhet edhe pak kohë për t'u kthyer në formën që e kishte dy vjet më parë, para se të pezullohej nga UEFA. Reprezentuesi i Maqedonisë u suspendua me dy vjet nga UEFA për përdorim të dopingut, përcjell Koha Ditore.

Mesfushori 26-vjeçar me Dinamo Zagrebin ka luajtur shtatë ndeshje dhe ka arritur të kontribuojë me dy asistime.

"Jam i kënaqur, kthimi im në fushë është në përputhje me pritjet e mia, por unë jam duke u stërvitur sigurt dhe kështu do të vazhdoj derisa të arrij formën më të lartë. Unë e di se ende duhet ta rris nivelin e performancës në lojë", ka thënë Ademi në një intervistë dhënë "jutarnji.hr".

Ademi është i bindur se me Dinamon do ta festojë titullin e kampionit.

"Ne nuk duhet të lëshojmë ritmin e lojës sepse kur do të vijë koha të paraqitemi në Evropë, do të penalizohemi. Atje gara është më e fortë. Jemi skuadër e balancuar, kemi lojtarë të rinj dhe me përvojë. Besoj se mund të luajmë më mirë sesa deri më tash. Për ne do të ketë rëndësi të madhe paraqitja në Evropë, në edicionin e ardhshëm", është shprehur Ademi.