Vonn fton skitaret e reja të mos e nënvlerësojnë Foto: Reuters

Vonn fton skitaret e reja të mos e nënvlerësojnë

12 December 2017 14:05

Fituesja e medaljes së artë olimpike, Lindsey Vonn, ka paralajmëruar sportistët e rinj që vitin tjetër në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” të mos nënvlerësojnë sportistët e vjetër. Në veçanti, amerikania u është drejtuar skitareve të reja.

Vonn, e cila fitoi të artën dhe të bronztën në LOD “Vancouver 2010”, vitin e shkuar theu një kockë në dorën e majtë, por po stërvitet intensivisht për LOD “Pyeongchang 2018” që nisin në shkurt, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Lëndimi ia kishte pamundësuar pjesëmarrjen në LOD “Sochi 2014” dhe ajo synon të kompensojë këtë në Kore të Jugut.

“Këto lojëra jam duke i pritur me padurim. Kam stërvitur shumë gjatë verës dhe kam bërë përgatitjet e duhura për vitin tjetër, kështu që krejt çka më duhet është të mbaj veten të shëndetshme”, është shprehur Vonn. “Deri më tash, gjithçka ka shkuar shumë mirë. Po ashtu, po besoj se në muajin shkurt do të kem fat të madh dhe puna e madhe që e kam bërë do të më shpërblehet me triumf në Pyeongchang”.

Meqë është ambasadore e Lojërave Olimpike për të rinjtë në vitin 2020, Vonn është takuar me sportistët e rinj, të moshës 14-18 vjeçare në Lausanne, ditë më parë. Ajo ka thënë se sportistët e rinj në Lojërat Olimpike duhet ta kenë parasysh se të vjetrit dinë më mirë të përballen me presionin dhe kanë përvojë më të madhe në sport. Sipas saj, pikërisht këta dy faktorë i bëjnë favoritë në ngjarje të tilla.

“Në të shumtën e rasteve sportistët e rinj i nënvlerësojnë më të vjetrit, por nuk e dinë se ata kanë përvojë më të madhe”, është shprehur Vonn. “Unë po shpresoj të mos nënvlerësohem vitin tjetër, sepse nuk do të ishte mirë. Di të përballoj presionin dhe di shumë për skijimin. Pra, jam e përgatitur për sukses”.

Vonn llogaritet një prej skitareve më të mira të të gjitha kohërave.

Gjatë karrierës ka fituar edhe dy medalje të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta në botërorë. Po ashtu ka edhe katër tituj të përgjithshëm në kupën e botës.

“Lojërat Olimpike Dimërore janë të veçanta për secilin sportist, kështu që suksesi do të thotë shumë. Unë kam përvojë në gara të tilla dhe për këtë arsye është më rëndësi që të gjithë të respektohen”, është shprehur Vonn. “Jam e gatshme për ta dëshmuar veten dhe pse jo të fitoj medaljen e tretë që do të ishte një gjë madhështore”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme