Sport

“Rusia 2018” rezervon përballje mes shqiptarëve e serbëve

Descriptive Text

Më 22 qershor të vitit të ardhshëm në Kaliningrad të Rusisë, do të luhet ndeshja që me gjasë do të jetë më e përcjellë prej tifozëve shqiptarë, sa i takon botërorit të futbollit. Zvicra, të cilën ka të tillë që e shohin si përfaqësuesen "e tretë shqiptare", do të luajë me Serbinë.

Në fushë, në ndeshjen ndaj rivales më të madhe për shqiptarët, pritet të vrapojnë në radhët e Zvicrës të paktën pesë futbollistë shqiptarë. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi janë thuajse të konfirmuar te Zvicra për botërorin që mbahet verën tjetër në Rusi, shkruan sot Koha Ditore.

Për shkak të numrit të madh të futbollistëve shqiptarë, Zvicra ka pasur raste kur është identifikuar si përfaqësuesja e tretë shqiptare, pas Shqipërisë e Kosovës. Dhe për futbollistët shqiptarë, disa prej të cilëve kanë tatuazhe me motive kombëtare, ndeshja e 22 qershorit në Kaliningrad pritet të jetë emocionale.

Zvicra e Serbia janë pjesë e Grupit E të botërorit "Rusia 2018". Shorti për botëror është tërhequr të premten pasdite. Në Grupin E janë edhe Brazili që vlerësohet favorit për të zënë vendin e parë, dhe Kosta-Rika. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.