Sport

Trepça dhe FBK-ja, të përgatitura që të mos ketë probleme në “Final Four”

Faza finale e ndeshjeve të Kupës së Kosovës në basketboll pothuajse çdoherë është përshkruar me incidente të ndryshme ndërmjet grupeve të tifozëve.

Në shumë raste, është zbrazur edhe palestra, madje ka ndodhur që finalja të luhet me vetëm njërën tifozeri të pranishme, për t’iu ikur incidenteve, transmeton KTV.

Problemet që kanë ndodhur në të kaluarën po mundohen t’i eliminojnë klubi i Trepçës, që është organizatore e ‘Final Four-it’ 2017, së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së sekretares në FBK, Elvira Dushku, thotë se është punuar dhe po punohet shumë që skena të pahijshme të mos shihen në ‘Minatori’.

Të premten, do të zhvillohen dy gjysmëfinalet te meshkujt, Peja – Bashkimi dhe vëmendje më e madhe do të jetë te dueli Sigal Prishtina – Trepça, përballje që çdoherë kanë qenë të nxehta, sidomos në tribuna.

Praninë në ‘Final Four-in’ 2017 e kanë konfirmuar grupet e tifozëve të katër skuadrave në konkurrencën e meshkujve, të cilave do t’u takojnë vetëm nga 300 bileta.