Sport

Dinamo Kievi me mungesa ndaj Skënderbeut

Descriptive Text

Dinamo e Kievit, do të sfidojë Skënderbeun mbrëmjen e kësaj të enjteje në Elbasan Arena, pa 6 nga lojtarët që e nisën si titullarë sfidën e parë që u zhvillua në Ukrainë.

Trajneri Olexandr Khatskevych ka grumbulluar 20 futbollistë për duelin ndaj korçarëve por një pjesë e mirë e tyre janë lojtarë të rinj.

Mungon për arsye dëmtimi kapiteni Sydorchyk i cili realizoi atë supergol që barazoi përkohësisht shifrat në 1-1 në ndeshjen e parë, ndërkohë me justifikimin se kanë probleme fizike por më shumë është një zgjedhje e drejtuesve të Dinamos për faktin se skuadra ukrainase e ka siguruar kualifikimin, janë lënë jashtë emra shumë të rëndësishëm si mbrojtësi kroat Vida, mesfushori Garmash, apo edhe sulmuesit Mbokani, Derlis Gonzales e Artem Kravets, transmeton Supersport. Mungon gjithashtu për arsye skualifikimi mesfushori tjetër Vitaliy Buialskyi.

Por, pavarësisht mungesave në konferencën për shtyp trajneri i skuadrës ukrainase Olexandr Khatskevych theksoi se skuadra e tij do të hyjë në fushë vetëm për fitore.

“Kemi me vete lojtarë të rinj, por kjo nuk është problem, sepse ata kanë luajtur në Europa League. Ne jemi të përgatitur që rezultati të jetë pozitiv. Ne i kemi parë me kujdes të gjitha ndeshjet. Kemi vënë re që Skënderbeu nuk ndryshon në lojë dhe përbërje, kështu që në këtë ndeshje nuk do të ndryshojnë shumë gjëra krahasuar me takimin e parë”, ka thënë ai.

Sipas trajnerit ukrainas Dinamo do të kërkojë ta fitojë këtë sfidë edhe për presidentin e saj i cili ka ditëlindjen.

“Shumica e lojtarëve titullarë kanë probleme dhe për këtë arsye nuk i kam grumbulluar për këtë sfidë për të rikuperuar forcat. Megjithatë unë jam i bindur se ata që do të luajnë do të japin më të mirën e tyre. Jemi Dinamo e Kievit dhe e kemi për detyrë të luajmë për fitore në çdo ndeshje për më tepër që është edhe ditëlindja e presidentit dhe duhet të fitojmë edhe për të. Pavarësisht mungesave nuk do t’i japim asnjë shans Skënderbeut për të kaluar më tej”, shprehet Khatskevych.

Ndeshjen e parë Skënderbeu e kishte humbur me rezultat 3 me 1.