Sport

Gara Ballkanike e Atletikës së shpejti zbret në Gjilan

Gara Ballkanike e Atletikës do të mbahet sivjet në komunën e Gjilanit, në të cilën do të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kjo u bë e ditur sot pas takimit që kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, zhvilloi me nënkryetarin e Federatës Europiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov, i cili shoqërohej nga kryetari i Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, transmeton Koha.net.

“Haziri e ka falënderuar nënkryetarin Karamarinov për mbështetjen që Gara Ballkanike e Atletikës sivjet të mbahet në Gjilan, përderisa e ka njoftuar për infrasktrukturën ekzistuese dhe planet për zgjerimin saj akoma më shumë. Haziri ka shfaqur zotimin se së shpejti do të themelohet edhe klubi i atletikës së Gjilanit”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, Karamarinov është shprehur të jetë i impresionuar me atë që ka parë në garën mbarëkombëtare “Vrapimi i Qytetit”, e cila është mbajtur të dielën në Gjilan me pjesëmarrjen e mbi 1 mijë atletëve.

Pas vizitës në komunën e Gjilanit, Karamarinov, i shoqëruar nga udhëheqësi i Njësisë për Sport, Malazog Hoxha, ka vazhduar me inspektimin e stadiumit ndihmës në Gjilan, i cili ka katër korsi të shtegut të atletikës. ​