Sport

Januzaj synon që me Sunderlandin të mbijetojë në Premier Ligë

Adnan Januzaj ka deklaruar se nuk dëshiron që ekipi i tij aktual Sunderlandi të bie nga Premier Liga, edhe nëse vitin e ardhshëm ai nuk do të jetë në këtë skuadër.

I huazuari nga Manchester Unitedi pritet të kthehet në Old Trafford gjatë verës, pa marrë parasysh nëse Sunderlandi mbijeton apo jo.

“Mund të ketë futbollistë që nuk brengosen kur huazohen. Unë nuk jam i tillë. Nuk kam qenë kurrë vetjak. Gjithmonë kam dashur që ekipet e mija të fitojnë. Nuk dua të humb”, ka deklaruar Januzaj për “Sunderland Chronicle”.

“Njerëzit mund të mendojnë se mua nuk më intereson sepse jam në huazim, por kur shikoni mirë unë edhe jam kthyer në mbrojtje, sepse më intereson për klubin. Njerëzit thonë se ai është vetëm në huazim dhe nuk i intereson. Kjo nuk qëndron. Kur unë humb ndeshjet, nuk dal as të ha as asgjë. Ky është mentaliteti im. Kur të largohem dua që Sunderlandi të jetë në Premier Ligë dhe të them se isha në Sunderland dhe mbijetuam”, ka shtuar reprezentuesi belg.

Sunderlandi aktualisht është në fund të tabelës në Premier Ligë me gjashtë pikë prapa nga pozitat që mbajnë ekipet në Premier Ligë.