Sport

Lufta me fjalë mes Ronaldos dhe Ramosit ka tensionuar Realin

Real Madridi në prapaskenë është duke përjetuar një luftë derisa Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos kanë vazhduar mosmarrëveshjet publike, raportojnë mediat në Spanjë.

Me Realin që ka mbetur tetë pikë prapa liderit Barcelonës, janë ngritur tensione mes dy yjeve të klubit.

Gazeta spanjolle Marca raporton se kritikat e portugezit për formën e dobët në ndeshjet e fundit nuk janë pritur mirë në dhomën e zhveshjeve.

Pas humbjes nga Tottenhami në Ligën e Kampionëve, Ronaldo fajin për disfatë ia la largimeve të James Rodriguezit, Pepes dhe Alvaro Moratas gjatë verës.

Kapiteni i klubit, Ramos i ktheu përgjigje duke thënë se Reali fitoi ndaj Manchester Unitedit dhe Barcelonës me ndihmën e lojtarëve të rinj.

Treshja e larguar janë parë si aleatë të Ronaldos, përfshirë Fabio Coentraon, derisa Rodriguez ishte shok i ngushtë i portugezit.

Ramosi ka shijuar lidhjen e mirë me lojtarët e rinj, siç janë, Nacho, Marco Asensio dhe Dani Ceballos, derisa ka fituar besimin e lojtarëve kyç si Dani Carvajal dhe Isco.