Sport

Capello: Ancelotti i duhuri për Italinë

Kombëtarja italiane pritet të ndryshojë përsëri trajnerin.

Përderisa fati i Italisë mbetet ende në pikëpyetje të madhe në lidhje me kualifikimin në Kupën e Botës, në Apenine kanë nisur të mendojnë për zëvendësuesin e Gian Piero Venturas.

Nëse ‘Azzurrët’ dështojnë të kualifikohen në Botëror, është e sigurt se Ventura do të largohet, por qëndrimi i tij në stolin e Italisë mbetet në dyshim edhe nëse ata shkojnë në Rusi, transmeton ksp.

Në një intervistë për mediat italiane, trajneri i famshëm Fabio Capello ka treguar se kush do të ishte njeriu ideal për të marrë drejtimin e kombëtares.

Sipas tij, është koha që Carlo Ancelotti të bëhet trajner i Italisë, pas sukseseve të shumta që ai ka arritur me klubet të cilat ka drejtuar.

“Ancelotti e ka moshën e duhur, përvojën e duhur dhe krejt çka i mungon atij është një punë si kjo me Italinë për t’u bërë trajner i kompletuar”, ka thënë Capello.

Italisë i duhet sonte që ta përmbysë humbjen 0:1 nga Suedia në ndeshjen e parë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.