Sport

Hysaj: Viti i duhur për Napolin që ta fitojë titullin

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj ka thënë se ky është viti i duhur për Napolin që ta fitojë titullin e Italisë.

Pas lëndimit të Faouzi Ghoulam, që s’do të mund të luajë këtë sezon, Maurizio Sarri ka pak alternativa për krahun e majtë të skuadrës, dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Hysaj është duke u testuar që të mbulojë atë hapësirë, transmeton Koha.net.

Për këtë mbrojtësi shqiptar thotë se nuk do të jetë e lehtë, por do të luajë në çfarëso pozicioni që trajneri i kërkon.

“Është bërë kohë e gjatë që kur kam luajtur në atë pozicion (krahu i majtë), prandaj nuk do të jetë e lehtë, por nëse trajneri ma kërkon atëherë jam i gatshëm të jap gjithçka”, është shprehur Hysaj në konferencë për media, raporton Football Italia.

Ai më tutje ka shtuar se, “Ghoulam është një lojtar shumë i rëndësishëm, por kemi të tjerë që mund të mbajnë ekipin dhe jam i bindur se ende mund të jemi të mirë. Napoli ka pritur që 30 vjet për titull, dhe ky është sezoni i duhur për ta bërë atë”.