Sport

Dukiq: Ndeshjen e vendosën detajet, shqiptarët i kemi miq

Trajneri i Partizanit të Beogradit, Miroslav Dukiq u shfaq shumë i kënaqur për fitoren por nga ana tjetër nënvizoi se sfidën mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut e vendosën detajet e vogla.

“Dihej që ndeshjen do ta vendosnin detajet e vogla. Ajo goditje e Tosiq na i thjeshtësoi gjërat ndërsa më pas ne luajtëm më të tërhequr. E dinim që Skënderbeu ishte një kundërshtar i vështirë dhe çdo skuadër tjetër që do të luajë ndaj Skënderbeut do ta ketë të vështirë. E rëndësishme është që ne morëm tre pikët”, ka thënë Dukiq, raporton Supersport.

Trepikëshi e kënaq, por Dukiq do të ishte akoma edhe më i kënaqur nëse Skënderbeu do të kthehet në Shqipëri me përshtypjet më të mira nga sfida që u zhvillua në Beograd.

“Jam shumë i kënaqur me trepikëshin por do të isha akoma më i kënaqur nëse Skënderbeu do të kthehej në Shqipëri me përshtypjet më të mira nga kjo ndeshje. Ne shqiptarët i kemi miq nuk i kemi armiq dhe futbolli duhet të na bashkojë”, ka thënë ai.

Partizani e mposhti në shtëpi Skënderbeun me rezultat prej 2 me 0 në Ligën e Evropës.