Sport

Komuna e Mitrovicës do të mbështesë KH “Trepça”

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka, kanë biseduar me kryetarin e KH “Trepça” (për meshkuj), Rexhep Kaçaniku dhe Taip Kabashi, shef i shtabit profesional, për gjendjen aktuale në këtë klub hendbollistik për meshkuj.

Drejtuesit e KH “Trepça”, Kaçaniku dhe Kabashi, i kanë njoftuar udhëheqësit komunalë për sukseset e arritura dhe për përpjekjet që ata po i bëjnë për konsolidimin e klubit, sidomos në aspektin financiar.

Ata ju thanë udhëheqësve komunalë, se hendbollistët mitrovicas kanë arritur suksese të mira dhe se janë në rrugë të mirë për të kthyer namin e hendbollit që kishte dikur në qytetin e Mitrovicës, gjë që do të arrihej më shpejtë sikur të krijoheshin kushte më të mira për punë dhe financim më i rregullt i klubit.

Kaçaniku e Kabashi në veçanti i njoftuan kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka, me përgatitjet që klubi po i bënë për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në kuadër të garave evropiane në hendboll, duke theksuar se përgatitjet po vazhdojnë pa probleme dhe se presin paraqitje të mirë të klubit që për herë të parë merr pjesë në këto gara.

Sipas tyre, hendbollistët e “Trepçës”, do të luajnë dy ndeshje me KH ANC “Potaissa”, nga qyteti Turda i Rumanisë, më 25 dhe 26 nëntor të këtij viti. Ata bënë të ditur se bashkë me hendbollistët rumunë, në Mitrovicë do të vijë edhe kryetari i qytetit Turda, nga është edhe ANC “Potaissa”.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Mujka, vlerësuan angazhimin e drejtuesve të KH “Trepça” dhe rezultatet që po i arrin hendbollistët mitrovicas në gara të ndryshme në vend dhe gjetiu, thuhet në njoftim për media të Komunës së Mitrovicës.

Ata ju thanë po ashtu drejtuesve të klubit se në kuadër të mundësive buxhetore që ka Komuna dhe në mënyrë të ndryshme do të mbështesin veprimtarinë dhe funksionimin e hendbollistëve, por edhe të sportistëve tjerë, në mënyrë që Mitrovica sërish të bëhet qendër e fuqishme sportive, jo vetëm në nivel vendi, por edhe më gjerë.